Një person është arrestuar dhe një tjetër është proceduar penalisht nga Policia e Sarandës, pasi akuzohen respektivisht për dhunë në familje dhe ndërtim pa leje.
Në pranga ka rënë shtetasi Erlin Piro, 22 vjeç, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj nënës së tij. Sipas njoftimit zyrtar, ai ka dëmtuar derën e banesës dhe ka vjedhur disa sende shtëpiake, si edhe motomjetin në pronësi të babait të tij. Arrestimi u krye në flagrancë nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, pas kallëzimit të bërë nga nëna e të riut.
Ndërkohë, Policia referoi materialet në Prokurori dhe nisi procedimin penal për shtetasin Mete Gjini, 45 vjeç, banues në Sarandë, i cili dyshohet se ka kryer punime ndërtimi pa leje.
Hetimet për të dyja rastet vijojnë dhe materialet i kanë kaluar Prokurorisë vendore për veprime të mëtejshme ligjore.
