Një futbollist amator në Angli ka humbur jetën tragjikisht pas një infeksioni të rëndë, ndërsa simptomat e tij fillestare u interpretuan gabimisht nga mjekët. Luke Abrahams, 20 vjeç, ndërroi jetë në Spitalin e Përgjithshëm të Northampton si pasojë e sepsis dhe fasciitit nekrotizues.
Ditët para ndarjes nga jeta, i riu ishte ankuar për dhimbje fyti dhe kishte vizituar mjekun e familjes, i cili i përshkroi antibiotikë, duke e diagnostikuar me inflamacion të bajameve. Megjithatë, gjendja shëndetësore e Abrahams u përkeqësua me shpejtësi.
Më pas, ai nisi të përjetonte dhimbje të forta në këmbë dhe vështirësi serioze në lëvizje. Në këtë fazë, mjekët bënë një diagnozë të dytë të pasaktë, duke ia atribuar simptomat dhimbjes së nervit shiatik.
Vetëm 12 orë më vonë, për shkak të dhimbjeve të padurueshme, familjarët kontaktuan shërbimin e emergjencës. Megjithatë, ekipet e ambulancës vlerësuan se ai nuk kishte nevojë për shtrim në spital. Dy ditë më pas, gjendja e tij u përkeqësua ndjeshëm dhe i riu u dërgua me urgjencë në spital, ku ndërroi jetë të nesërmen.

