Një dëshmi e re ka tronditur opinionin publik lidhur me rastin e Bleona Matës, vajzës së vogël që u zhduk në Kukës 15 vite më parë. Një i moshuar ka rrëfyer detaje të rëndësishme mbi rrethanat e rrëmbimit, lëvizje të dyshimta dhe informacione që mund të hapin pista të reja hetimi.
Në emisionin “Ftesë në 5”, nëna e Bleonës, Bukuria, u shpreh se dhimbja e 15 viteve pa drejtësi e ka shkatërruar çdo ditë:
“Kjo dhimbje po më djeg e përvëlon. Shpresoj që një ditë ta përqafoj vajzën time dhe të dëgjoj zërin e saj. Ai zotëria që dha informacionin e dinte shumë gjëra, dhe e falënderoj. Fshatarët e fshehën këtë fakt nga policia për shkak të frikës.”
Bukuria tregoi se një makinë me targa nga Vlora ishte parë atë ditë dhe shprehu zhgënjimin e saj për vonesën e drejtësisë:
“Po të ishte drejtësia e mirëfilltë, nuk do të kishin kaluar 15 vite dhe vajzat të rrinë të lira. Hallat e saj duhet të ndëshkohen derisa të tregojnë të vërtetën.”
Ajo hodhi akuza edhe ndaj babait të Bleonës, që sipas saj nuk ka reaguar kurrë për zhdukjen e vajzës:
“Si mund të kërkojë babai vajzën? Gjithmonë kishte presion nga vëllezërit. Unë denoncoj, ai tërhiqet. Nuk di çfarë babai është ky që nuk ka zemër të kërkojë fëmijën e vet.”
Ky rast mbetet një nga më misteriozët dhe dramatikët e vendit, ndërsa çdo informacion i ri mund të jetë vendimtar për zbardhjen e fatit të Bleonës Matës.
