Avokati Altin Goxhaj, i ftuar në një emision televiziv, deklaroi se kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pritet të përballet së shpejti me probleme me SPAK, në lidhje me dosjen e “21 janarit”.
Sipas Goxhajt, këto zhvillime nuk janë rastësore dhe lidhen edhe me lëvizjet e fundit brenda Partisë Demokratike. Ai tha se Berisha ka vepruar me shpejtësi për shkak të rolit që, sipas tij, ka pasur deputeti Ervin Salianji në krijimin e tensioneve të brendshme.
“Shumë shpejt Berisha do të ketë probleme me SPAK për 21 janarin dhe kjo nuk është rastësi. Berisha ka lëvizur shpejt sepse Salianji është futur si pykë për këtë çështje”, u shpreh Goxhaj.
Avokati shtoi se, sipas tij, e gjithë klasa aktuale politike në Shqipëri është e ndikuar nga fondacioni Soros, duke përfshirë edhe figura të opozitës. Ai deklaroi se ndryshimet gjeopolitike dhe ardhja e një administrate amerikane me linjë antisoros po ndikojnë në zhvillimet politike edhe në Shqipëri.
“Kjo do të sjellë përplasje të brendshme jo vetëm me Salianjin, por edhe me të tjerë. Partia Demokratike nuk ka pasur një plan real këto dy vite dhe nuk do të shohë më ngritje, por vetëm rënie”, tha Goxhaj.
Sipas tij, një mesazh i fundit i Berishës drejtuar strukturave të PD-së ishte tregues i kësaj situate, duke pretenduar se daljet mediatike të anëtarëve të partisë do të kontrollohen përmes strukturave të caktuara të komunikimit.
