Monday, March 23, 2026
HomeALBÇmimi i naftës shtrenjtohet sërish, ja sa arrin vlera e saj për...

Çmimi i naftës shtrenjtohet sërish, ja sa arrin vlera e saj për litër

Situata e tregut të karburanteve në Shqipëri paraqitet alarmante për xhepat e qytetarëve, teksa çmimi i naftës në pikat e pakicës ka kapur shifra rekord.

Në një vëzhgim në terren të kryer këtë të hënë nga CNA, vihet re se çmimet e naftës në pika të ndryshme variojnë nga 211 deri në 214 lekë për litër, ndërsa benzina tregtohet pranë nivelit të 199 lekëve

Ky shtrenjtim reflekton një ngurtësi të pashpjegueshme të tregut vendas, pasi në bursat ndërkombëtare nafta ka pësuar një rënie drastike prej rreth 9% vetëm brenda 24 orëve të fundit, duke zbritur në nivelin e 96 dollarëve për fuçi.

Ndërkohë që bota po reflekton këtë ulje të ndjeshme, në Shqipëri kriza në Lindjen e Mesme po përdoret si “alibi” për të mbajtur çmime artificialisht të larta. Kontrasti bëhet edhe më i fortë kur krahasohemi me rajonin, ku në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut nafta kushton mesatarisht 50 deri në 55 lekë më lirë se në vendin tonë.

Në këtë klimë tensioni ekonomik, Kryeministri Edi Rama deklaroi të dielën se qeveria do të rikthehet te regjimi i Bordit të Transparencës për të kontrolluar çdo abuzim të mundshëm, ndonëse pohoi se deri më tani nuk janë vërejtur shkelje nga tregtarët. Rama premtoi një ndërhyrje të përkohshme me ulje të akcizës prej 20% për të lehtësuar barrën mbi përdoruesit e mjeteve.

“Niveli i rritur i përfitimit që do të vijë në arkën e shtetit nga rritja e çmimit, cilido qoftë ai, pas uljes që iu bë akcizës, do të shkojë vetëm për të mbrojtur pensionistët, vetëm për të mbështetur pensionistët”,-tha Rama.

Përtej premtimeve për rezervat dhe futjen e një faktori të ri publik në treg, realiteti i sotëm në tabelat e karburanteve mbetet i pandryshuar, duke i lënë konsumatorët shqiptarë të paguajnë faturën më të lartë në Europë në raport me të ardhurat e tyre, pavarësisht se bursa globale po tregon shenja të qarta të rënies.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments