Çfarë pritet të ndodhë?/ Ushtarët e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës zbarkojnë në Shqipëri

Ditën e nesërme, Shqipëria do të shndërrohet në qendër të një prej stërvitjeve më të mëdha ushtarake të dekadës në Evropë dhe Afrikë, me nisjen e manovrës shumëkombëshe “Defender Europe 25”.

E organizuar nën drejtimin e Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara (USEUCOM) dhe në bashkëpunim me forcat e NATO-s dhe partnerë strategjikë, kjo stërvitje do të shtrihet përtej Shqipërisë në disa vende të Ballkanit dhe të kontinentit.

Faza e parë e stërvitjes do të fillojë mëngjesin e të martës, më 27 maj, me nisjen e trupave nga garnizoni i Zall-Herrit drejt Qendrës së Stërvitjes në Bizë, ku do të zhvillohen skenaret më intensive, përfshirë:

Operacione mësymëse dhe mbrojtëse në terrene të vështira

Dislokime strategjike të trupave dhe pajisjeve

Testimi i gatishmërisë në kushte të simulimit të luftës

“Defender Europe 25” do të zgjasë deri më 9 qershor dhe synon të rrisë:

Gatishmërinë e përbashkët ndërkombëtare

Ndërveprimin efektiv mes forcave aleate

Kapacitetin për të reaguar ndaj kërcënimeve reale në një ambient kompleks operacional

Stërvitja bazohet në Nenin 5 të Traktatit të NATO-s, që garanton mbrojtje kolektive ndaj çdo vendi anëtar në rast sulmi.

Përveç Shqipërisë, një tjetër pikë kyçe do të jetë Kosova, ku do të trajnohen skenarë të mbrojtjes së infrastrukturës kritike, sigurimit të pikave të imbarkimit dhe menaxhimit të logjistikës së avancuar.

Kjo stërvitje konfirmon edhe një herë rolin strategjik të Shqipërisë si një nyje thelbësore në arkitekturën e sigurisë euroatlantike, si dhe besueshmërinë e saj si partnere ushtarake në rajon.

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *