Sali Berisha ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë për mobilizim të militantëve të tij, duke e cilësuar 10 shkurtin (data e protestës së radhës) si ditën e kryengritjes kundër një shteti të shndërruar, sipas tij, në narkoshtet.
Nga takimi “Foltores” me banorët e degës 7, Berisha theksoi se Shqipëria ka nevojë për një transformim të thellë etik, të ngjashëm me vitin ’90.
“Të bashkohemi me çdo qytetar të ndershëm që beson që është i gatshëm të ngrihet për të shpëtuar Shqipërinë. Asnjë lloj, askush tjetër përveç nesh, njerëz që mbrojmë të vërtetën, njerëz që i kemi qëndruar besnikë, pavarësisht nga sakrificat, idealeve tona, nuk do të shpëtojë Shqipërinë. Data 10 shkurt është dita jonë. Është dita e kryengritjes sonë paqësore, është dita që do t’i dridhen themelet Edi Ramës gjer në largimin e tij nga pushteti“, u shpreh Sali Berisha, ndërsa ka paralajmëruar se protesta e radhës do të shkundër atë që ai e quan regjim të Edi Ramës.
