Belind Këlliçi paralajmëron një verë të nxehtë politike! Deputeti i Partisë Demokratike deklaroi se forca që ai përfaqëson, së bashku me Sali Berishën, janë të vendosur të sfidojnë rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit, të cilat i konsiderojnë si të manipuluara.
Këlliçi solli në kujtesë precedentë të mëparshëm si zgjedhjet e vitit 2001, ku presioni ndërkombëtar pas denoncimeve solli ndryshime të mëdha politike në vend. Ai la të kuptohet se një skenar i ngjashëm mund të përsëritet, duke lënë të hapur mundësinë e një përmbysjeje politike deri në shtator, kur do të konstituohet Kuvendi i ri.
“Deri në shtator do të ketë shumë zhvillime, shumë denoncime për farsën elektorale të 11 majit. Dhe vendime të forta nga forumet më të larta të PD për mënyrën se si do të përballemi me këtë realitet dhe me 50 mandatet që kemi fituar me gjak,” tha ai.
A do të përmbyset skena politike në muajt në vijim? PD duket e vendosur për të mos njohur rezultatin dhe për të bërë gjithçka për ta zhbërë atë.