Flor Mumajesi është pa dyshim një nga kantautorët më të dashur dhe më të vlerësuar të muzikës shqiptare. Por prej kohësh, ai është “zhdukur” nga skena dhe rrjetet sociale, duke u distancuar thuajse plotësisht nga jeta publike. Në media është përfolur shpesh se Flori po kalonte një periudhë të vështirë të lidhur me shëndetin mendor, çka mund të ketë ndikuar në tërheqjen e tij nga jeta artistike dhe sociale.
Prej disa vitesh, artisti është zhvendosur në Kosovë, ku ka zgjedhur të jetojë larg zhurmës mediatike që shpesh e shoqëronte. Ndërkohë, shumë personazhe publikë dhe fansa kanë kërkuar rikthimin e tij në muzikë, duke e konsideruar një prej zërave dhe autorëve më të rëndësishëm të dekadës së fundit.
Megjithatë, shenjat e para të një rikthimi kanë filluar të ndihen. Së fundmi, Klajdi Haruni ndau një video në InstaStory, ku dëgjohet zëri i Flori Mumajesit, ndërsa shihet në studio bashkë me Kejsi Tolën, Klajdi Harunin dhe Brunon. Kjo video hedh dritë edhe mbi raportin mes Florit dhe Brunos, për të cilët ishte përfolur për një ‘krisje’ në marrëdhënien e tyre profesionale. Por pamjet dëshmojnë për një atmosferë pozitive dhe miqësore, duke treguar se gjërat janë normalizuar.
Burime pranë artistit kanë bërë të ditur se Flori është tashmë i angazhuar me krijimin e materialeve të reja muzikore, të cilat do të interpretohen nga këngëtarë të tjerë. Rikthimi në studio është parë nga shumë si hapi i parë drejt një aktivizimi të plotë artistik.
Gjurmët e rikthimit të tij janë vënë re edhe në rrjetet sociale. Në Instagram, Flor Mumajesi ka ndryshuar foton e profilit, duke vendosur një sfond të bardhë me një shirit të kuq ku shkruhet: “Pak Flor”. Ky veprim ka ngjallur menjëherë dyshime tek ndjekësit se mund të jetë titulli i albumit të tij të ardhshëm apo një paralajmërim për diçka më të madhe që po vjen.
Gjithashtu, është raportuar se kantautori është parë shpesh kohët e fundit në Tiranë, duke shtuar më tej zërat për një rikthim të mundshëm në jetën artistike. Kujtojmë që është bërë një kohë e gjatë nga publikimi i fundit muzikor i Florit, por përkundër kësaj, ai nuk është harruar nga publiku – përkundrazi, kërkesat dhe komentet për projekte të reja kanë qenë të shumta.
Rreth një vit më parë, u përfol për një koncert recital, por edhe pse materialet ishin thuajse gati, vetë Flori nuk e ndjeu momentin e duhur për të rikthyer veten në skenë. Megjithatë, burime të afërta me artistin lënë të kuptohet se sezoni i ri mund të sjellë më në fund një rikthim të shumëpritur, në formën e një koncerti, albumi, ose të paktën përmes projekteve për artistë të tjerë.