Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe kritikoi ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu në seancën e sotme plenare, në lidhje me dëmshpërblimet nga përmbytjet në sektorin e bujqësisë.
Sipas Braçes, në buxhet nuk janë përfshirë pagesat për zonat Gramshit dhe të Delvinës, të cilat u goditën dy herë në nëntor dhe janar, nga përmbytjet dhe ngricat. Vengu tha se paratë kanë kaluar, por për Braçen ato nuk janë në buxhet, as në relacion dhe as në seancën e zhvilluar në komision.
“Më vjen mirë që paratë janë shtuar në bujqësi dhe fondi është realizuar thuajse 100%. Ajo që me shqetëson është që kanë ndodhur fatkeqësi të mëdha dhe bujqësia ka marrë një goditje të konsiderueshme. Në verë goditja për bujqësinë erdhi në dy zona, Gramshi dhe Delvina. Duhet të paguajmë për to. Më habiti ministri i Mbrojtjes kur tha që janë kaluar paratë për të shlyer këto dëme të shkaktuara për bagëtitë, por edhe për frutikulturën sepse në buxhet unë nuk i gjej, as në relacion dhe as në seancën që zhvilluam në komision nuk ishin. Përmbytjet e kombinuara me ngrica në nëntor dhe janar, kanë goditur zonën më prodhuese të vendit”, tha Braçe.
