Dy vëllezër shqiptarë me precedentë penalë në Greqi janë arrestuar nga policia greke si autorë të dyshuar të shpërthimit me lëndë eksplozive në diskotekën “Jacky.O”, e ndodhur mbrëmjen e 7 tetorit 2025 në rrugën Michalakopoulou, në Athinë.
Në pranga ranë Blerim Buci, 41 vjeç, dhe Besmir Buci, 32 vjeç, të dy banues në Tiranë. Përveç akuzës për vendosjen e eksplozivit, ndaj tyre ishte në fuqi edhe një urdhër arresti për shkelje të kushteve kufizuese të qëndrimit, grabitje dhe shkelje të ligjeve mbi armët.
Sipas hetimeve, 32-vjeçari Besmir Buci pasi parkoi automjetin pranë lokalit, iu afrua diskotekës në këmbë dhe vendosi një pajisje shpërthyese të improvizuar, të cilën e aktivizoi menjëherë. Më pas u rikthye në automjet, ku e priste vëllai i tij, Blerim Buci, dhe u larguan së bashku nga vendngjarja. Automjeti rezulton se u ishte siguruar nga një bashkëpunëtor i tyre, një shtetas grek 44-vjeçar.
Gjatë kontrolleve të kryera nga policia, u sekuestruan një thikë palosëse, tetë telefona celularë, një pajisje telekomandimi me ekran, dy fletore me shënime, veshje të përdorura gjatë aktit, si dhe automjeti i përdorur për kryerjen e sulmit.
Njëri prej të arrestuarve pranoi pjesërisht përfshirjen, duke deklaruar:
“Për bombën më punësoi një çift që kishte llogari të vjetra me pronarin e dyqanit. Më dhanë 5 mijë euro që ta vendosja.”
Sipas policisë greke, shpërthimi kishte karakter paralajmërues dhe lidhej me një tentativë shantazhi. Autorët kishin kërkuar para në këmbim të ofrimit të “mbrojtjes”, por refuzimi i pronarit të lokalit çoi në aktin hakmarrës.
Gjatë operacionit për arrestimin e tij, 41-vjeçari Blerim Buci u gjet i fshehur në një zonë të izoluar natyrore. Ai tentoi t’i shpëtonte ndalimit dhe rezistoi dhunshëm ndaj forcave të rendit, duke i goditur me duar dhe këmbë, por u neutralizua dhe u arrestua.
Të dy vëllezërit, të akuzuar më parë për vepra të ndryshme penale si vjedhje, grabitje, mashtrim, dhunë fizike, falsifikim dhe shkelje të ligjeve për drogën, u dërguan para autoriteteve kompetente të ndjekjes penale.
