Punëtorë të lidhur me biznesmenin Shkëlqim Fusha kanë nisur zbardhjen e llixhave kurative të Banjave të Bënjës, duke ndërhyrë drejtpërdrejt në një nga atraksionet natyrore më të rralla të Shqipërisë.
Pamjet nga terreni janë tronditëse: beton po hidhet në një zonë të mbrojtur, aty ku natyra ka krijuar për mijëra vite një mrekulli unike. Në një prej zonave më të bekuara të vendit, po zhduket peizazhi natyror për t’i hapur rrugë betonit dhe interesave ekonomike.
Betoni ka para, është i shtrenjtë dhe shoqërohet me prokurime. Dhe si shumë herë të tjera, një thesar natyror po përfundon viktimë e të njëjtës logjikë qeveritare që ka betonizuar bregdetin, lumenjtë dhe malet.
JOQ Albania e kishte denoncuar këtë projekt prej dy vitesh, që në kohën kur u promovua nga Tan Agolli i FSHZH dhe Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro.
Banjat e Bënjës, të cilat për vite me radhë kanë qenë të lira dhe të hapura për çdo qytetar, rrezikojnë të privatizohen dhe të humbasin karakterin e tyre natyror.
Sot flitet për “rilindje”, për “spa modern” dhe “turizëm shëndetësor”, por në terren nuk po shohim rehabilitim – po shohim betonizim të egër, pa transparencë dhe pa sqarime publike.
❓ A ka studim mjedisor?
❓ A ka konsultim me komunitetin?
❓ A po respektohet peizazhi unik i kanionit?
Nëse llixhat e Bënjës humbasin karakterin e tyre natyror, ato nuk do të jenë më “ari i nxehtë i jugut”, por një tjetër kompleks betoni, i rrethuar nga interesa dhe prokurime.
Bënja nuk ka nevojë për kulla dhe betonarme.
Bënja ka nevojë për respekt
