Blendi Fevziu ka shprehur hapur qëndrimin e tij lidhur me të ardhmen e Sali Berisha në krye të Partisë Demokratike. Sipas tij, Berisha nuk duhet të kandidojë për kryetar të PD-së në zgjedhjet e pritshme brenda dy muajve, por të qëndrojë në rolin e kryetarit të nderit.
Fevziu u shfaq skeptik edhe për mundësinë e bashkimit të opozitës, duke theksuar se ajo ka nevojë për një ristrukturim të thellë. Sipas tij, opozita duhet të rindërtojë marrëdhëniet me faktorët ndërkombëtarë, të konsolidojë raportin me drejtësinë dhe me SPAK-un, si dhe të ndërmarrë hapa konkretë për të rifituar besimin e publikut.
I pyetur nëse Berisha përbën pengesë për PD-në dhe opozitën, Fevziu theksoi se përgjegjësia kryesore bie mbi të, por një largim i menjëhershëm nuk do ta zgjidhte krizën. Ai vuri në dukje se PD ka krijuar një “zinxhir gabimesh” dhe se grupi parlamentar i dalë nga zgjedhjet e 11 majit nuk përfaqëson realisht shoqërinë shqiptare.
Në përfundim, Fevziu sugjeroi që Berisha të mos garojë për drejtimin e partisë, por të mbetet kryetar nderi dhe të mbështesë përzgjedhjen e një kandidati të ri për kryeministër, si një hap drejt riorganizimit të opozitës.
