Konfirmimi i pezullimit të Belinda Ballukut nga posti i zv/kryeministres, pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese ka marrë vëmendjen e mediave të huaja.

Gazeta e madhe franceze Le Figaro, shkruan se Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka konfirmuar të premten pezullimin nga detyra të zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e akuzuar për korrupsion në dhënien e tenderëve publikë.
Balluku, pjesë e qeverisë që nga viti 2019 dhe një nga figurat më të afërta të kryeministrit socialist Edi Rama, ishte pezulluar më 20 nëntor nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas ngritjes së akuzave nga prokuroria. Me të njëjtin vendim, asaj i ishte ndaluar edhe dalja jashtë Shqipërisë.
E vënë në lëvizje nga qeveria, Gjykata Kushtetuese kishte lejuar në dhjetor rikthimin e përkohshëm të Ballukut në detyrë, në pritje të një vendimi përfundimtar. Megjithatë, të premten ajo njoftoi se ka “vendosur të rrëzojë ankimimin dhe të konfirmojë vendimin e gjykatës së posaçme për pezullimin e Ballukut nga funksionet e saj”, shkruan Le Figaro.

Sipas akuzave, ministrja dyshohet për favorizim në procedurat e prokurimit publik që lidhen me ndërtimin e një tuneli 5,9 kilometra të gjatë në një rrugë në jug të vendit, si dhe me ndërtimin e një segmenti të Unazës së Tiranës.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar më herët duke e cilësuar pezullimin si “një akt brutal ndërhyrjeje në pavarësinë e pushtetit ekzekutiv”.
Le Figaro thekson se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar përbën një nga kushtet kyçe për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në vitet e fundit, disa ish-ministra të qeverive të Edi Ramës, në pushtet që prej vitit 2013, janë vënë nën hetim nga drejtësia për çështje korrupsioni.
