Tuesday, January 13, 2026
HomeALBBalluku sfidon SPAK-un, hap 4 tendera me vlerë 90 mln euro

Balluku sfidon SPAK-un, hap 4 tendera me vlerë 90 mln euro

Në një kohë kur SPAK me kryeprokuror Klodian Braho ka kërkuar zyrtarisht heqjen e imunitetit për arrestimin e zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, zinxhiri i vendimmarrjes në institucionet në varësi të saj nuk ka shfaqur asnjë shenjë ngadalësimi. Përkundrazi, vetëm pak ditë pas emërimit të drejtuesit të ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar, janë hapur katër tenderë me vlerë 90 milionë euro, sikur urgjenca më e madhe shtetërore të ishte firmosja e kontratave dhe jo llogaridhënia publike.

Më i spikaturi prej tyre është ai për “arredim dhe rikualifikim urban” të superstradës Tiranë–Durrës, një aks që prej vitesh ka gëlltitur fonde të konsiderueshme publike. Rreth 1.4 miliardë lekë parashikohen për sinjalistikë dhe vijëzime, ndërkohë që mbi 75 milionë euro janë shpenzuar më herët për ndërtimin e tij në disa lote.

Tenderi i tjetër, për aksin Kashar–Nyja Vaqarr, Faza III, shton edhe rreth 16 milionë euro në faturën e një rruge të ndarë tashmë në disa faza të kushtueshme.

Paralelisht, dy tenderë të tjerë për lidhjen Tiranë–Elbasan me Korridorin VIII parashikojnë mbi 60 milionë euro të tjera, për një nyje trafiku që vazhdon të mbetet problematike pavarësisht investimeve të përsëritura.

Hapja e njëkohshme e këtyre procedurave, në prag hetimesh të rënda penale, ngre dyshime serioze mbi prioritetet reale të institucioneve dhe mënyrën se si administrohen fondet publike. Ndërsa drejtësia kërkon përgjigje, infrastruktura vazhdon të ndërtohet me ritëm të shpejtë financiar, duke lënë pas më shumë pikëpyetje sesa garanci për transparencë.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments