Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun Jola Hysaj, njëkohësisht dhe anëtare e kryesisë ka dhënë dorëheqjen nga Partia Demokratike.
Përmes një statusi ajo lajmëron largimin, me arsyetimin e mosfunksionimit të pozicionit të saj brenda strukturave partiake, duke bashkërenduar dhe një sërë kritikash që ajo ka konstuar gjatë kësaj kohe.
Ajo shkruan se vendimarrja është në dorën e pak njerëzve duke e kthyer çdo proces në kontroll të plotë.
Më tej, Hysaj shkruan se problemi themelor mbetet hapja e kësaj partie, madje ajo shprehet se edhe anëtarët e kryesisë i mësojnë vendimet në media.
“Pas më shumë se 20 vitesh angazhimi të pandërprerë në jetën politike dhe në shërbim të qytetarëve, kam marrë vendimin të jap dorëheqjen nga të gjitha pozicionet që kam mbajtur dhe që më janë besuar me votë, si edhe nga anëtarësia ime në Partinë Demokratike të Shqipërisë. Ky është një vendim i vështirë, por i domosdoshëm. Ai vjen si pasojë e një sërë zhvillimesh dhe vendimmarrjesh të njëpasnjëshme që në gjykimin tim, janë larguar nga parimet mbi të cilat duhet të ndërtohet dhe të funksionojë një Parti Demokratike. Forma dhe mënyra e organizimit të funksionimit të kësaj force politike ka arritur në një pikë ku edhe anëtarët e Kryesisë mësojnë vendime të rëndësishme nga mediat dhe jo nga strukturat e partisë. Kjo nuk është mënyra se si duhet të funksionojë një parti demokratike dhe as mënyra se si respektohen institucionet e saj.”, shkruan ndër të tjera Hysaj.

