Edicioni i tretë i Ferma VIP ka nisur zyrtarisht të premten, duke sjellë një risi të madhe që në start: për herë të parë, moderimin e këtij formati e mori prezantuesja e njohur Arbana Osmani.
E njohur për vite me radhë si figura kryesore e Big Brother në Shqipëri, Arbana kishte prezantuar disa edicione të këtij formati, përfshirë edhe dy spektakle VIP me shikueshmëri shumë të lartë. Megjithatë, në mënyrë të papritur, në edicionin e tretë ajo nuk vazhdoi më si moderatore, ndërsa në vend të saj erdhi Ledion Liço.
Që prej asaj kohe, shpeshherë është vënë re një “thumbim” i nënkuptuar mes dy prezantuesve, qoftë gjatë paraqitjeve televizive apo përmes postimeve në rrjetet sociale. Dhe duket se një mesazh i tillë nuk mungoi as në hapjen e “Ferma VIP 3”.
Në fjalinë hapëse të spektaklit, Arbana Osmani deklaroi: “Ferma VIP është një format origjinal i cili patjetër në qendër ka konkurrencën, por ka diçka më të rëndësishme se konkurrenca, punën, disiplinën, bashkëpunimin, atë që ndoshta kemi nevojë të shohim pak më shumë në ekranet tona”.
Duke qenë se Ledion Liço prej dy vitesh drejton formatin më të ndjekur në Shqipëri, këtë pjesë shumë e interpretuan si një “thumb” të drejtpërdrejtë, duke lënë të kuptohet se ekranit shqiptar i nevojiten qasje të reja.
Një tjetër detaj që u komentua gjerësisht ishte edhe përzgjedhja e këngës Enderroj të Altin Goci për hapjen e spektaklit. Kjo këngë kishte qenë një hit i lidhur ngushtë me edicionet e para të Big Brother VIP Albania, ku refreni i saj i drejtohej “yjeve” – një term që Arbana e përdorte shpesh për banorët e shtëpisë.
Madje, Altin Goci e kishte performuar këngën edhe live në skenën e “Big Brother VIP Albania”, çka bëri që përzgjedhja e saj për hapjen e “Ferma VIP 3” të mos dukej thjesht rastësi për shumë ndjekës.
Sido që të interpretohen këto detaje, mbetet për t’u parë se si do të zhvillohet dinamika në vazhdim mes dy kolegëve dhe nëse “thumbimet” e nënkuptuara do të vazhdojnë edhe në javët në vijim.
