Vetëm pak orë përpara spektaklit më të madh televiziv të vitit, finales së “Big Brother VIP Albania 4”, produksioni ka publikuar një njoftim urgjent dhe me masa të forta sigurie për të gjithë ata që do të jenë të pranishëm në sallë.
Në rregulloren e bërë publike, theksohet se për të garantuar një mbrëmje të qetë dhe pa incidente, ndalohet rreptësisht:
Futja e objekteve të rrezikshme, mjeteve të mprehta, fishekzjarrëve dhe lazerëve; Lëndët narkotike dhe substancat e paligjshme; Pijet alkoolike dhe çdo lloj gote apo shishe nga jashtë; Përdorimi i dronëve apo mjeteve të tjera për regjistrim (përveç telefonave); Qasja në skenë apo në zonat teknike pa autorizim; Çdo formë dhune verbale apo fizike ndaj publikut ose stafit organizativ; Simbolet, pankartat apo shfaqjet që nxisin urrejtje, racizëm apo diskriminim; Futja e kafshëve në ambientet e spektaklit.
Produksioni paralajmëron se kushdo që shkel rregullat do të largohet menjëherë nga ambienti, pa të drejtë rimbursimi të biletës.
Kontrollet do të jenë të rrepta dhe do të kryhen nga stafi i sigurisë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.
Në fund, Top Channel dhe “Vëllai i Madh” i bëjnë thirrje publikut që të shijojë një finale madhështore, me respekt dhe pozitivitet!
