Familja e Selin Bollatit i është drejtuar zyrtarisht Top Channel dhe produksionit të Big Brother VIP Albania, duke shprehur shqetësimin e thellë për situatën e krijuar pas Prime-it të fundit në shtëpinë e BBVIP.
Në reagimin e tyre, familja deklaron se banori Rogert Sterkaj ka përdorur në mënyrë të përsëritur gjuhë fyese, denigruese dhe shpifëse ndaj Selin Bollatit, duke cenuar rëndë dinjitetin, integritetin dhe figurën e saj si grua dhe profesioniste.
Sipas familjes, gjatë këtyre përballjeve janë artikuluar akuza të pavërteta dhe insinuata poshtëruese, përfshirë aludime për përfitime financiare si dhe vënie në dyshim të aftësive të saj profesionale si balerinë. Këto deklarata konsiderohen të pavend dhe dëmtuese për imazhin publik të Selin Bollatit.
Po ashtu, në reagim theksohet se i njëjti banor ka ngritur akuza të pabaza edhe ndaj produksionit, duke pretenduar shkelje të rregullores nga ana e Selin Bollatit, pretendime që familja i cilëson si të pavërteta dhe që, sipas tyre, vënë në pikëpyetje seriozitetin e formatit.
Familja nënvizon se këto veprime nuk mund të konsiderohen pjesë e lojës apo debatit, por përbëjnë dhunë psikologjike, bullizëm dhe cenim të rëndë të dinjitetit njerëzor, në kundërshtim të hapur me parimet dhe rregulloren e Big Brother VIP Albania.
Në përfundim, familja kërkon që situata të trajtohet me përgjegjësi të plotë institucionale dhe që produksioni të marrë masat e nevojshme sipas rregullores, për të ndalur gjuhën denigruese, shpifjet dhe sulmet personale që, sipas tyre, kanë tejkaluar çdo kufi të lejueshëm.

