Aktivisti Florjan Binaj, i ftuar në një emision televiziv, deklaroi se në Shqipëri po largohen specialistët dhe po punësohen persona të paaftë, duke sjellë pasoja serioze për shoqërinë dhe mjedisin.
Sipas tij, ndryshe nga popujt europianë që reagojnë shpejt ndaj padrejtësive, në Shqipëri durimi zgjat pafund dhe reagimi vjen gjithmonë shumë vonë. Binaj theksoi se ngjarjet që po ndodhin në vend nuk duhet të quhen fatkeqësi natyrore, por fatkeqësi njerëzore, të cilat janë plotësisht të shmangshme.
Ai e krahasoi situatën me një njeri që përpiqet të pijë të gjithë ujin e një ujëvare, duke theksuar se ndërtimi i qyteteve pa planifikim dhe pa respekt për kapacitetet natyrore nuk ka asnjë logjikë.
Binaj u ndal edhe te mungesa e simbiozës mes arkitekturës dhe urbanistikës gjatë 30 viteve të fundit. Sipas tij, sot në Shqipëri vijnë vetëm arkitektë të huaj të njohur, ndërsa urbanistë ndërkombëtarë nuk ftohen më. Ai shtoi se disa nga projektet që realizohen sot, nëse do të ishin prezantuar nga studentë, do të refuzoheshin nga pedagogët.
Aktivisti theksoi gjithashtu se është humbur respekti ndaj natyrës, duke nënvizuar se njerëzit nuk mund të jetojnë pa të, ndërsa natyra mund të ekzistojë shumë mirë pa njerëzit, madje edhe më mirë.
Sipas Binajt, gjatë këtyre dekadave, në vend që të vlerësoheshin dhe të mbaheshin specialistët e fushave të ndryshme, ata janë larguar, ndërsa janë punësuar persona të paaftë, sepse kushtojnë më pak dhe pranojnë të thonë “po” edhe kur nuk duhet. Ai theksoi se një profesionist i vërtetë di të thotë “jo”.
Në përfundim, Binaj kritikoi faktin se personat e paaftë nuk mbajnë përgjegjësi për gabimet e tyre, por thjesht largohen nga një institucion dhe sistemohen në një tjetër, duke bërë që situata të mbetet e pandryshuar.
