
Vasil Palo, një tifoz i PAOK FC, humbi jetën tragjikisht së bashku me disa tifozë të tjerë në një aksident të rëndë automobilistik, ndërsa udhëtonte për të parë një ndeshje të ekipit të tij të zemrës në Lion, Francë. I afërmi i tij ka dhënë një deklaratë për mediat, duke shpjeguar rrethanat e kësaj tragjedie dhe dhënë detaje të rëndësishme për jetën e Vasilit.
Ai shprehu dhimbjen e thellë për humbjen e tij dhe përshkroi ngjarjen si një fatkeqësi të madhe. “Ne e morëm vesh lajmin në televizor. Djali kishte lindur në Greqi. Morëm vesh se u aksidentua teksa po shkonte të shihte një ndeshje,” tha ai, duke shtuar se Vasil Palo ishte një djalë që kishte jetuar në Greqi me motrën dhe nënën e tij, pasi babai kishte ndërruar jetë disa vite më parë.
Ai vijoi duke thënë: “Jetonte në Greqi, i ati i kishte vdekur. Jetonte me motrën dhe me të ëmën. Ishin emigrantë në Greqi. Fat i keq, fatkeqësi e madhe.”
Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë një udhëtimi drejt Francës, ku tifozët e PAOK-ut udhëtonin për të mbështetur ekipin e tyre në një ndeshje në Lion. Furgoni që transportonte tifozët u përfshi në një aksident tragjik në Rumaninë, duke çuar në humbjen e jetëve të shtatë tifozëve, përfshirë edhe Vasilin. Të tjerë mbetën të plagosur rëndë, ndër ta edhe një shtetas shqiptar.
