Ditën e sotme u mbajtën homazhet në nder të Artan Lames, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë pas një ndërhyrjeje në zemër.
Historiani Auron Tare, në një prononcim për News24, e përshkroi Lamen si një figurë të pazëvendësueshme që rrallëherë i dhurohet një shoqërie. Sipas tij, Lamja ishte një nga koleksionistët më të mëdhenj në Ballkan dhe ndër më unikët në Europë.
“Nuk është e lehtë të flasësh në një ditë si kjo. Ne, miqtë e tij të ngushtë, kemi vendosur ta kujtojmë me buzëqeshje dhe histori plot humor. Ishim me fat që Lamja ishte pjesë e jetës sonë, si në aspektin privat, ashtu edhe në atë publik,” – tha Tare.
Ai shtoi se pavarësisht debateve e përplasjeve mes tyre, gjithmonë gjenin gjuhën e përbashkët.
“Lamja nuk ishte thjesht një koleksionist, por një shpirt që jetonte për historinë dhe trashëgiminë. Deri ditën e fundit ai dha porosi për muzeun që ëndërronte, sepse besonte se koleksioni i tij i përkiste popullit shqiptar.”