Prokuroria e Beratit ka kërkuar një total prej 5 vitesh burg për Natasha Rombulan dhe Armando Kumarakun – gjyshja dhe babai i një fëmije 10-vjeçar, të cilët akuzohen për keqtrajtim dhe shfrytëzim të të miturit në rrjetet sociale.
Sipas organit të akuzës, babai i të miturit përballet me një kërkesë dënimi prej 3 vitesh burg, si dhe me një masë plotësuese: humbjen e përgjegjësisë prindërore. Ndërkohë për gjyshen është kërkuar një dënim me 2 vite heqje lirie.
Hetimet kanë zbuluar se i mituri është detyruar të marrë pjesë në video me përmbajtje dhe gjuhë të papërshtatshme për moshën e tij, në platformat YouTube dhe TikTok, shpesh nën trysni psikologjike dhe kërcënime nga babai dhe gjyshja.
Në komunikimet me të miturin janë përdorur fjalë banale, ndërsa ai është nxitur të imitojë të njëjtën gjuhë, duke u ekspozuar ndaj dhunës verbale, bullizmit dhe madje edhe substancave narkotike. Prokuroria thekson se kjo sjellje ka ndikuar rëndë në gjendjen emocionale dhe zhvillimin psikologjik të fëmijës, duke lënë pasoja të theksuara në personalitetin e tij.
Ngjarja ka ndodhur në shkurt të vitit të kaluar, kur edhe u arrestuan të pandehurit me akuzën për “Keqtrajtimin e të miturit”, kryer në bashkëpunim.