Qeveria shqiptare tashmë është bërë subjekt bastesh në tregjet globale. Në një nga platformat më të mëdha të parashikimeve, Polymarket, është hapur një pyetje që lidhet drejtpërdrejt me politikën shqiptare: “A do të largohet Edi Rama si kryeministër në vitin 2026?”
Në pak orë nga hapja e tregut, probabiliteti ka lëvizur dhe ka shkuar rreth 37%, që do të thotë se përdorues nga vende të ndryshme të botës po vendosin para mbi një pyetje që shqiptarët e diskutojnë çdo ditë: sa do të zgjasë ende kjo qeveri?
Fakti që edhe tregjet ndërkombëtare të parashikimeve po i kushtojnë vëmendje zhvillimeve politike në Shqipëri tregon se politika shqiptare është kthyer në objekt analizash dhe spekulimesh edhe jashtë vendit.
Por për shumë analistë politikë, një fenomen i tillë ka edhe një simbolikë tjetër: kur një qeveri fillon të trajtohet si çështje probabiliteti në tregje bastesh, shpesh kjo ndodh në momente kur klima politike është e tensionuar dhe e pasigurt.
Në këtë kuptim, pyetja që po bëjnë përdoruesit në këto platforma është e njëjta që dëgjohet shpesh edhe në debatin publik në Shqipëri: sa kohë i ka mbetur kësaj qeverie?
Konteksti i Tregut
Ky treg do të zgjidhet me “Po” (Yes) nëse Edi Rama pushon së qeni Kryeministër i Shqipërisë për çdo periudhë kohe midis krijimit të tregut dhe 31 dhjetor 2026, ora 11:59 PM ET.
Në të kundërt, ky treg do të zgjidhet me “Jo” (No).
Një njoftim për dorëheqjen ose shkarkimin e Ramës para datës së përfundimit të këtij tregu do ta zgjidhë menjëherë tregun me “Po”, pavarësisht se kur hyn në fuqi dorëheqja apo shkarkimi i njoftuar.
Burimi për zgjidhjen e këtij tregu do të jetë informacioni zyrtar nga Edi Rama dhe qeveria shqiptare; megjithatë mund të përdoret edhe një konsensus raportimesh nga media të besueshme.
Tregu është hapur më: 5 mars 2026, ora 4:59 PM (ET).

