Më poshtë parashikimi i motit për sot dhe nesër, si për vendin tonë ashtu edhe për kontinentin europian.
Britania e Madhe dhe pjesë të Evropës Qendrore do të ndodhen nën ndikimin e një qendre të fuqishme ciklonare, e cila do të sjellë kushte të paqëndrueshme atmosferike. Ndërkohë, Ballkani, Gadishulli Apenin, si edhe brigjet e Detit Egje dhe Detit të Zi do të dominohen nga mot i kthjellët dhe relativisht i ngrohtë.
Sa i përket Shqipërisë, sipas të dhënave të MeteoAlb, paraditja do të karakterizohet nga kthjellime, ndërsa gjatë pasdites pritet shtim i vranësirave, kryesisht në zonat e thella malore. Ngricat vijojnë të mbeten problematike në disa akse rrugore. Temperaturat do të luhaten nga -3°C në orët e mëngjesit deri në 16°C në mesditë. Era do të fryjë nga Juglindja me shpejtësi mbi 40 km/h, duke sjellë dallgëzim mbi 2 ballë.
Për ditën e nesërme, Evropa do të vijojë të jetë nën ndikimin e ciklonit të fuqishëm të vendosur në veriperëndim të kontinentit, duke sjellë reshje shiu dhe dëbore. Reshje intensive priten në Gadishullin Iberik, Britaninë e Madhe dhe Evropën Qendrore. Në të kundërt, rajoni i Ballkanit do të mbetet me mot të qëndrueshëm dhe kryesisht të kthjellët.
Në Shqipëri, sipas MeteoAlb, dita e nesërme do të shënojë një normalizim të temperaturave. Paraditja do të jetë me kthjellime dhe kalime të lehta vranësirash, më të theksuara në jug të vendit. Pasditja do të sjellë përmirësim të ndjeshëm të motit në të gjithë territorin. Temperaturat do të lëvizin nga 0°C deri në 17°C. Era do të fryjë nga Jugu me shpejtësi mbi 38 km/h, ndërsa dallgëzimi në det do të jetë rreth 2 ballë.
Në vijim, paraqiten temperaturat minimale dhe maksimale për vendin dhe rajonin, sipas MeteoAlb.
