SPAK kontrolloi disa lokale përpara zgjedhjeve’, Lala zbulon kandidatin socialist në ‘telashe’ nga hetimet

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në një emision televiziv, ka dhënë një analizë të thelluar mbi zgjedhjet e fundit, duke theksuar se procesi nuk ishte pa probleme, sidomos për shkak të ndikimit të eksponentëve të krimit të organizuar në disa qarqe si Durrës, Shkodër, Elbasan dhe Fier.

Sipas saj, janë të paktën 39 çështje penale që po hetohen për korrupsion zgjedhor, ndërsa e cilëson të dyshimtë faktin që nuk ka asnjë çështje të hapur që lidhet me Partinë Socialiste, pavarësisht përfshirjes së administratës dhe përdorimit të aseteve publike në fushatë.

Lala shtoi se SPAK kreu kontrolle edhe në disa lokale të lidhura me kandidatin Ani Dyrmishi, për shkak të dyshimeve për lidhje të krimit të organizuar me shtabin e tij elektoral. Ajo theksoi se duhet pritur për të parë çfarë do të zbulohet më tej.

Lala tha se ka pasur edhe incidente të drejtpërdrejta gjatë votimeve, si në Kashar, ku vëzhgues të kandidatit të PS Ornaldo Rakipi goditën sekretarin e KZAZ-së, dhe se vetë ajo ka arritur të filmojë një çantë me para në vendngjarje. Ajo vuri në dukje se në disa raste, personazhe me të kaluar kriminale kanë qenë të pranishëm në qendrat e votimit apo në numërim, si në rastin e përplasjes së Flamur Nokës me Xhabaftët në Vorë.

Në Fier, Lala përmendi presionin “nën rrogoz” dhe faktin që qytetarët nuk votuan deri në orët e vona të ditës. Po ashtu, në Elbasan përmendi kandidaturën e Sara Milës, që sipas saj është objekt hetimi për lidhje të mundshme me krimin e organizuar, duke vënë në pikëpyetje rritjen e votave të saj.