Opozita do të hapë zyrtarisht sot fushatën elektorale në orën 19:00 në sheshin “Nënë Tereza”, me një atmosferë dhe skenografi të konceptuar ndryshe nga herët e tjera. Aktiviteti do të paraprihet që në orën 18:00 nga performanca dhe pjesëmarrje të të rinjve, duke sjellë një frymë të re që, sipas organizatorëve, frymëzohet nga modeli i hapjes së fushatës së Presidentit Trump.
Në hyrje të bulevardit do të vendosen 11 numra “1”, që simbolizojnë numrin e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” në fletën e votimit. Tri ekrane të mëdha LED do të shfaqin historikun e Partisë Demokratike, ndërsa në qendër të skenës do të jenë lideri i opozitës, Sali Berisha, dhe drejtuesi i fushatës, strategu amerikan Chris LaCivita.
Berisha, duke ruajtur sekretin për detajet e mbrëmjes, bëri humor me gazetarët, duke e krahasuar çeljen e fushatës me një ceremoni martesore: “Çifti dashurohet për muaj apo vite, por ka një ditë kur shfaqet ndryshe – dhe të gjithë duan ta shohin atë ditë të veçantë. Kështu do të jetë edhe nesër.”
Ndryshe nga Kryeministri Rama, Berisha shmang shifrat për rezultatin, duke u fokusuar tek entuziazmi dhe besimi në mbështetjen popullore. “Nuk jap përqindje, sepse nuk jam profet. Ajo që mund të them me siguri është mbështetja e madhe kombëtare dhe ndërkombëtare për fitoren tonë më 11 maj,” u shpreh ai.
Në lidhje me procesin zgjedhor, Berisha u shpreh i vendosur për mbrojtjen e votës dhe ndjekjen e çdo hapi të saj, veçanërisht për votën e diasporës. Ai theksoi se do të kërkohet transparencë maksimale në numërim.
Lideri demokrat komentoi edhe zhvillimet në Parlamentin Europian, duke i cilësuar qëndrimet e shprehura si “kambana alarmi” për qeverinë Rama. Sipas tij, komuniteti ndërkombëtar po kërkon zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri, ndërsa paralajmëroi për një sistem të kapur nga krimi dhe mungesë të shtetit ligjor.
“Reforma e drejtësisë e mbështetur nga Soros i ka lënë shqiptarët pa drejtësi. Të mbrosh këtë reformë do të thotë të pranosh se qytetarët nuk meritojnë një proces të drejtë,” tha Berisha në përfundim