Vrasja e studentes shqiptare Ilaria Sula nga ish-i dashuri i saj, Mark Antony Samson, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes në Itali. Ngjarja tragjike ka shkaktuar tronditje të thellë në opinionin publik, ndërsa hetimet po zbulojnë çdo ditë detaje të reja dhe shqetësuese.
Një prej dëshmitarëve më të fundit është Maher Abouzeid, një i ri me origjinë egjiptiane dhe filipinase, i njohur si mik i afërt i Samson. Në një intervistë për mediat italiane, ai ka rrëfyer për sjelljen e pazakontë të Samson menjëherë pas krimit.
“Sapo e takova, vura re që kishte duart të enjtura. Kur e pyeta çfarë kishte ndodhur, më tha se ishte përleshur me dy djem pranë shtëpisë së Ilarias. Por kjo ishte vetëm një nga gënjeshtrat e tij,” u shpreh Maher.
Sipas tij, fillimisht Samson shfaqej i shqetësuar dhe i tensionuar, por më pas qëndrimi i tij ndryshoi krejtësisht:
“Filloi të sillej sikur asgjë nuk kishte ndodhur — qeshte, këndonte dhe bënte shaka. Madje njohëm dy turiste polake dhe qëndruam me to deri në orët e vona. Askush nuk e kishte idenë se çfarë kishte ndodhur.”
Maher ka zbuluar edhe një tjetër element të rëndësishëm që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve:
“Mark refuzoi të flinte tek unë atë natë. Ishte tepër i shqetësuar për makinën e tij. Tani e kuptoj që kishte frikë se mos zbulohej trupi i Ilarias brenda saj.”
Ngjarja e rëndë ka ngritur sërish alarmin për sigurinë e grave dhe mungesën e masave parandaluese ndaj dhunës në marrëdhënie. Autoritetet italiane po vazhdojnë hetimet për të zbardhur plotësisht dinamikën e kësaj tragjedie që ka lënë gjurmë të thella në shoqëri.