Roza Lati zbërthen prapaskenat tronditëse të largimit nga televizioni: ‘M’u shpif!’, paralajmëron rikthim të fuqishëm që do të ‘shkundë’ ekranin!

Moderatorja e njohur shqiptare, Roza Lati, e cila për shumë vite drejtoi emisionin “Why Not?” në RTV Ora, ka kohë që është larguar nga ekrani dhe mungesa e saj është ndjerë nga publiku. Së fundmi, në një Instastory, ajo ka ndarë me ndjekësit arsyet që e çuan të largohej nga televizioni.

Roza tregoi me sinqeritet se arsyeja kryesore ishte zhgënjimi i thellë ndaj mënyrës si funksiononte televizioni ku punonte. Sipas saj, ndonëse e donte dhe e shijonte punën, presioni psikologjik dhe mungesa e mbështetjes në momente të vështira e detyruan të largohej.

“E vërteta është që televizioni më është shpifur në këtë periudhë të jetës,” tha Roza, duke zbuluar se gjatë një periudhe krizash në televizionin ku punonte, shumë punonjës u larguan nga frika, ndërsa ajo dhe të tjerë mbetën për të përballuar mungesën e stafit. “Por publiku nuk duhej ta kuptonte – show must go on,” shtoi ajo.

Pas përfundimit të sezonit të fundit të “Why Not?”, Roza përjetoi një periudhë të vështirë personale që përfshinte humbjen e dy qenve të saj të dashur, Petit dhe Sashës, si dhe një shtatzëni të dështuar.

Ajo përmendi gjithashtu eksperiencën në “Big Brother VIP Albania 3”, ku sipas saj është përballur me padrejtësi dhe mungesë profesionalizmi në disa media. “Po shoh njerëz pa përvojë që drejtojnë programe, që nuk dinë të flasin e të transmetojnë emocion,” u shpreh ajo, duke theksuar se “profesionisti nuk vlerësohet më – dhe profesionisti kushton.”

Megjithatë, Roza i dha fansave një lajm të mirë: ajo do t’i rikthehet ekranit më fuqishëm dhe më profesionale se kurrë më parë. Jo vetëm për veten, por edhe në bashkëpunim me profesionistë të tjerë të zhgënjyer nga televizioni aktual, me të cilët ndan të njëjtin vizion.

“S’kam mbaruar me ekranin. Do rikthehem. Dhe jo vetëm. Por me një grup profesionistësh që, si unë, janë gati për diçka të re,” përfundoi Roza.