Emocione, tension dhe një përballje që askush nuk e priste… Ish-banorja e “Big Brother VIP 4”, Valbona Mhilli, ishte e ftuar këtë mëngjes në emisionin “Wake Up”, ku komentoi zhvillimet më të fundit nga shtëpia më e ndjekur në Shqipëri.
Një nga momentet që mori më shumë vëmendje ishte takimi surprizë mes Egli Takos dhe ish-partnerit të saj, Olsi Bylyku, pas rrëfimit të linjës së jetës nga banorja. Në dhomën e surprizave, Egli u përball papritur me të shkuarën e saj, ndërsa Olsi e falënderoi për fjalët e bukura dhe vlerësimin që ajo kishte shprehur për të gjatë qëndrimit në shtëpi.
Valbona, e pyetur për këtë skenë emocionale, tha se momenti ishte i sikletshëm dhe se Egli nuk ndihej aspak rehat. “Egli e përjetoi shumë rëndë ndarjen me Olsin. E pamë të gjithë sa e ftohtë dhe e stepur ishte. Ai u tregua shumë i ëmbël, por ajo dukej sikur donte vetëm të përfundonte takimi,” – u shpreh gazetarja.
Duke lënë të kuptohet se ndjenjat mes tyre nuk janë shuar plotësisht, Valbona shtoi me ironi: “Po të mos kishte kamera, ndoshta do shihnim një tjetër reagim.”