Vrasësi i 22 vjeçares Ilaria Sula ka rrëfyer para hetuesve momentet para dhe pas krimit që tronditi opinionin publik. Ai pohon se ishte i gatshëm të luftonte për marrëdhënien e tyre, por diçka sipas tij “ndryshoi papritur gjithçka”, duke e çuar drejt aktit fatal. Deklaratat e tij kanë ngritur edhe më shumë pikëpyetje mbi motivet dhe gjendjen psikologjike në të cilën ndodhej në momentin e krimit.
Mark Antony Samson, 23-vjeçari filipinas i akuzuar për vrasjen brutale të 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula në Romë, ka dhënë dëshminë e tij në seancë gjyqësore, duke detajuar marrëdhënien dhe ngjarjet që çuan në krimin tronditës.
Gjatë deklaratës përpara gjykatës, Samson tha se ishte i vendosur të luftonte për rikthimin e Ilarias si e dashura e tij, edhe pse lidhja e tyre kishte hyrë në krizë. Ai tregoi se ishte njohur me të në vitin 2023 në ambientet e punës dhe lidhja e tyre kishte nisur më 30 prill të po atij viti.
Në vendimin e gjykatës për masën e sigurisë, marrëdhënia e të rinjve kishte pasur ulje-ngritje, por gjithçka kishte ndryshuar kur Ilaria kishte kërkuar të shihte notat e tij të provimeve universitare, një temë që, sipas Samson, e kishte ndjekur si traumë që nga shkolla e mesme për shkak të presionit prindëror.
I riu tregoi se Ilaria i kishte vendosur ultimatum se nëse nuk i tregonte notat, ajo do ta linte.