Finalja nën yje: Çfarë surprizash po përgatit BBVIP për natën më të madhe televizive?

by orgest · April 16, 2025

Finalja e shumëpritur e Big Brother VIP Albania do të mbahet më 19 prill dhe premton të jetë një nga ngjarjet më të mëdha televizive të vitit. Për herë të parë, spektakli do të zhvillohet në dy studio të veçanta, ku njëra prej tyre do të jetë hapur për publikun — një hapësirë unike “nën çatinë e yjeve”.

Moderatori i BBVIP, Ledion Liço, ndau emocionet dhe përgatitjet që po zhvillohen pas kuintave. “Jemi në një fazë intensive, me shumë lodhje, pak gjumë, por shumë energji dhe pasion. Studioja e dytë është konceptuar si një hapësirë e hapur ku do të ketë performanca live dhe një atmosferë festive për publikun që dëshiron ta përjetojë nga afër,” tha ai.

Ndryshe nga vitet e mëparshme, surprizat e kësaj finale nuk do të jenë të fokusuara vetëm te finalistët. Spektakli do të përfshijë artistë të njohur, këngë të krijuara brenda shtëpisë dhe momente të papritura me personazhe të dashura për publikun.

Për ata që duan të jenë pjesë e kësaj nate unike, biletat janë në dispozicion online dhe në pika fizike të përzgjedhura. Liço shtoi: “Është një lloj ‘viewing party’ siç e quan brezi i ri — por më shumë se kaq, është një koncert, një festë dhe një përmbyllje dinjitoze për një sezon që ka sjellë emocione të jashtëzakonshme.”

Finalja pritet të zgjasë plot 6 orë, me një program të pasur që do të shpalosë momentet më të bukura të këtij edicioni dhe do të kurorëzojë fituesin mes katër finalistëve.

You may also like