Pas një rrugëtimi të gjatë dhe plot sfida, Gerta Gixhari ka përfunduar eksperiencën e saj në “Big Brother VIP Albania”, duke arritur deri në gjysmëfinale. Edhe pse nuk e preku finalen, moderatorja e cilësoi qëndrimin në shtëpi si një nga përvojat më të veçanta të jetës së saj.
Në një postim emocional në Instagram, Gerta falenderoi publikun për mbështetjen e palëkundur:
“Dola nga kjo shtëpi me zemrën plot mirënjohje. Faleminderit për çdo fjalë, votë dhe përqafim virtual që më dhatë. Pa ju, kjo eksperiencë nuk do kishte qenë kaq e bukur.”
Moderatorja u shpreh se për të, fitorja më e madhe nuk ishte një çmim, por dashuria e publikut dhe rrugëtimi i vërtetë që bëri në sy të gjithë shqiptarëve.
E pranishme që në fillim të formatit, Gerta u dallua për qëndrueshmëri dhe forcë, duke mbijetuar më shumë nominime se çdo banor tjetër – një dëshmi e karakterit të saj të fortë dhe mbështetjes së madhe që kishte jashtë.