Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Romës këtë fundjavë, pas zbulimit të dy trupave të pajetë në një nga hapësirat më të frekuentuara të gjelbërta të qytetit, parku Villa Doria Pamphili.
Pasditen e së shtunës, rreth orës 16:30, pranë një zone me mbeturina u gjet pa shenja jete një foshnjë rreth 6 muajshe, me shenja dhune në trup. Fillimisht u mendua se bëhej fjalë për një kukull, por të pranishmit shpejt e kuptuan se ishte një ngjarje tragjike.
Vetëm pak orë më vonë, afërsisht 100 metra më tutje, u bë edhe një tjetër zbulim: trupi i një gruaje i fshehur në një thes të zi. Viktima ishte pa dokumente identifikimi, por e veshur dhe e vendosur nën një rresht me oleandra.
Hetuesit dyshojnë për një lidhje mes viktimave, duke ngritur pistën se mund të jenë nënë e bijë, të braktisura në park nga i njëjti person. Sipas ekspertëve mjeko-ligjorë, gruaja mund të ketë ndërruar jetë më herët se foshnja. Për të përcaktuar lidhjen mes tyre dhe shkakun e vdekjes, do të kryhen analiza të ADN-së.
Një familje që po luante volejboll në park ishte ajo që zbuloi trupin e gruas, ndërsa dëshmitë e kalimtarëve dhe kamerat e sigurisë përreth po verifikohen për të rindërtuar kronologjinë e ngjarjes.
Në mbrëmje, dy gra panë një femër të re në gjendje të çuditshme mbi një urë brenda parkut, me sjellje të pasigurt dhe të tronditur. Nuk përjashtohet mundësia që kjo grua të ketë lidhje me ngjarjen.
Villa Doria Pamphili, zakonisht sinonim i qetësisë dhe natyrës, është tashmë epiqendër e një hetimi të ndërlikuar kriminal që ka lënë pas një ndjesi ankthi dhe shumë pyetje pa përgjigje.