Tifozët dhe fëmijët në Tiranë u kthyen në ‘armiq’ – Serbia dramatizon gjithçka pas ndeshjes!

Edhe pse ndeshja Shqipëri–Serbi përfundoi pa gola, duket se në mediat serbe loja nuk ka mbaruar ende. Me tone dramatike dhe përshkrime thuajse imagjinare, portalet në Beograd kanë pasqyruar barazimin si një skenar ‘lufte psikologjike’.

Kurir e ka cilësuar ndeshjen si “terrori në Tiranë” dhe ka shkuar deri aty sa të thotë: “Po na sulmojnë djemtë tanë!”. Por çfarë ndodhi realisht? Fëmijët shqiptarë, gjatë himnit serb, bënë gjestin e shqiponjës dykrenare – një simbol kulturor dhe kombëtar. Kjo është marrë nga mediat serbe si “tmerr i pastër” dhe “provokim i padurueshëm”.

Madje Kurir nuk nguron të përdorë tituj si:

“Skandalet nuk mbarojnë – fëmijët treguan shqiponjën, një ferr i vërtetë për lojtarët tanë”, ndërsa përfundimi i ndeshjes u shoqërua me titullin dramatik: “Futbollistët serbë mezi shpëtuan jetën në Tiranë!”

Ndërkohë, Blic raporton:

“Skuadra e Dragan Stojkoviç i mbijetoi ferrit të Tiranës” dhe pretendon se lojtarët janë goditur tri herë në kokë. Sipas tyre, arbitri David Massa “nuk pati guxim” t’i nxirrte serbët nga fusha.

Ironikisht, këto reagime vijnë nga një media që harron shpejt – përfshirë incidentin real të Beogradit, ku një ndeshje e Shqipërisë u ndërpre dhunshëm nga tifozët vendas dhe përfundoi me rezultat zyrtar 0-3 për Shqipërinë.