Rreth dy muaj më parë, shkruajtëm për një histori të re që pritej të niste për Sara Hoxhën. Pas ndarjes nga Ledri, duket se edhe për blogeren tashmë është momenti që të nisë një lidhje të re dashurie.
Në atë kohë shkruam se kohët e fundit Sara ka nisur të shoqërohet me një emër të njohur në rrethet sociale të Tiranës. Djali në fjalë është i biri i një prej biznesmenëve të njohur të Tiranës, i cili është parë në shoqërinë e Sarës. E kur kanë kaluar shumë pak nga ky lajm, duket se lidhja është konkretizuar. Në media të ndryshme, ka qarkulluar lajmi se tashmë Sara ka nisur një histori të re dashurie, që po e mban shumë diskrete.

Sara dhe djaloshi në fjalë janë parë së bashku jo vetëm në Tiranë, por edhe në jug të vendit. Miqtë e ngushtë pranë saj, refuzojnë që të ndajnë detaje nga kjo histori, duke u shprehur se nuk dinë asgjë për romancën e re. Megjithatë, dyshja tashmë ka nisur të ‘pikaset’ nga sytë e kureshtarëve, duke qenë tashmë vetëm çështje kohësh për të pasur edhe foton e parë të këtij çifti.

Kujtojmë se vetëm pak kohë më parë, blogerja pranoi se ishte ende e dashuruar me Ledrin, dhe se nuk ishte gati për një raport sentimental. Duke ndarë detaje nga e përditshmja e saj, blogerja zgjedh të mos e prekë temën e ndarjes, ndonëse ndjekësit gjithnjë duan të dinë më shumë për këtë histori. Ajo është pyetur nga ndjekësit rreth jetës së saj, e një prej tyre kishte të bënte dhe me raportet romantike.

“A je gati për një njohje të re dhe të qëndrueshme në jetën tënde?”- ishte pyetja që iu drejtua, por Sara zgjodhi t’i përgjigjej shkurt: “Jo”. Në një emision televiziv ku edhe ishte e ftuar, pak kohë më parë, Sara aludoi për një lidhje të re të sajën. Një moment në bisedën mes tyre, Sara la të nënkuptuar se mund të jetë në një lidhje të re dashurie. Pyetjes nëse partnerin e ka brenda apo jashtë fushës (balerin), Sara iu përgjigj duke nënkuptuar se ai i përket fushës së kërcimit.

Kujtojmë se Sara ka një vajzë me Ledri Vulën, me të cilin kishte lidhje prej disa vitesh, por që mori fund një vit më parë. Sakaq Ledri duket se po e shijon sërish dashurinë, këtë herë në krah të Rina Zaitit, një emër i njohur në Kosovë. Sakaq ditët e fundit, nëna e këngëtarit të njohur Ledri Vula, Xheraldina Vula, ka folur së fundmi për ndarjen e të birit nga partnerja e tij, Sara Hoxha. Në një intervistë për mediat në Kosovë, nëna e këngëtarit tha se familja u ndje shumë keq kur u njoftua me lajmin e ndarjes së çiftit, por që sigurisht ata e respektojnë vendimin e Sarës dhe Ledrit.

“Asnjë prind nuk gëzohet kur fëmija i tij ndahet, sidomos kur bëhet fjalë për një çift që ka qenë aq i mirë së bashku. U ndjemë shumë keq, ishte befasuese për ne. Nuk kemi pasur qejf fare, por të rinjtë nuk na pyesin. Ata bëjnë zgjedhjet e tyre”, tha nëna e Ledrit.
Por si i ruan ajo raportet me ishnusen e djalit? Pavarësisht ndarjes, Xheraldina theksoi se marrëdhënia e saj me Sarën nuk ka ndryshuar.
“Unë me Sarën vazhdoj të kem të njëjtën lidhje. Nuk ka asnjë antagonizëm mes nesh. Ajo vazhdon të kujdeset për vajzën, e sjell tek gjyshja, vjen e na viziton. Gjërat janë shumë korrekte mes nesh”, tha ajo.
