Amendamentet e propozuara që do t’u hiqnin gjykatave të drejtën për të pezulluar zyrtarë të lartë përbëjnë një sfidë serioze për luftën kundër korrupsionit dhe për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Nëse miratohen, ato rrezikojnë të zbehin një nga arritjet më të rëndësishme të viteve të fundit: reformën në drejtësi.
Kryeministri Edi Rama e ka paraqitur vazhdimisht progresin drejt integrimit europian si rezultat të drejtpërdrejtë të reformave të ndërmarra nga qeveria e tij, me reformën në drejtësi në qendër të këtij procesi. Pikërisht kjo reformë solli ngritjen e institucioneve të posaçme si SPAK dhe Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të cilat kanë kompetencë të hetojnë dhe gjykojnë zyrtarë të nivelit të lartë. Deri më tani, këto institucione kanë avancuar disa çështje të rëndësishme, duke dhënë sinjale konkrete se askush nuk është mbi ligjin.
Tensionet institucionale shpërthyen pas vendimit për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e dyshuar për ndërhyrje në prokurime publike. Reagimi i Ramës ishte i menjëhershëm: ai sugjeroi se gjyqësori po ushtron pushtet të tepruar dhe e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese, në përpjekje për të rishikuar balancën mes pushtetit gjyqësor dhe atij ekzekutiv.
Pasi kjo lëvizje nuk prodhoi rezultatin e dëshiruar, qeveria propozoi ndryshime në nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale. Sipas draftit, gjykatat nuk do të mund të pezullonin nga detyra një sërë funksionarësh të lartë – përfshirë Presidentin, Kryeministrin, ministrat dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Praktikisht, kjo do të eliminonte një nga mjetet kryesore parandaluese që përdoret për të mbrojtur integritetin e hetimeve.
Kjo lëvizje ngre pikëpyetje serioze kushtetuese. Parimi i barazisë para ligjit, i sanksionuar në nenin 18 të Kushtetutës, kërkon që çdo trajtim i diferencuar të jetë i justifikuar dhe proporcional. Përjashtimi kategorik i zyrtarëve të lartë nga një masë sigurie procedurale krijon një privilegj të vështirë për t’u arsyetuar mbi baza objektive.
Pezullimi nga detyra nuk është ndëshkim, por një masë parandaluese për të shmangur ndërhyrjen në prova apo dëshmitarë. Heqja e këtij instrumenti pikërisht për ata që kanë ndikimin më të madh institucional mund të dobësojë efektivitetin e ndjekjes penale dhe të krijojë perceptimin e një imuniteti të ri funksional.
Nga këndvështrimi i ndarjes së pushteteve, kufizimi i kompetencës së gjykatave për të vendosur masa parandaluese ndaj ekzekutivit cenon ekuilibrin kushtetues. Në planin europian, një hap i tillë rrezikon të shihet si regres në standardet e shtetit të së drejtës, në një kohë kur raportet e BE-së kanë theksuar nevojën për forcimin e institucioneve antikorrupsion.
Në thelb, ndryshimi i nenit 242 krijon një regjim të veçantë për zyrtarët më të lartë të shtetit, pikërisht aty ku korrupsioni ka ndikimin më të madh publik. Mbështetja reale për reformën në drejtësi nuk matet me deklarata politike, por me gatishmërinë për të lejuar drejtësinë të veprojë pa pengesa – ndaj kujtdo.
Çdo ndërhyrje që e kufizon këtë kapacitet rrezikon të perceptohet jo si forcim i shtetit të së drejtës, por si një hap prapa.
