Friday, February 13, 2026
HomeALBShpërthen fruthi në një kopsht privat në Tiranë, 15 fëmijë të infektuar

Shpërthen fruthi në një kopsht privat në Tiranë, 15 fëmijë të infektuar

Fruthi po shfaqet si një kërcënim real për fëmijët në Tiranë. Edhe pse Instituti i Shëndetit Publik nuk ka bërë një deklaratë zyrtare, në një kopsht jo publik është regjistruar një shpërthim i sëmundjes.

Mësohet se disa fëmijë të pavaksinuar janë infektuar me fruth dhe e kanë transmetuar virusin tek njëri-tjetri. Prindërit janë njoftuar nga edukatoret që t’i mbajnë fëmijët në shtëpi, me qëllim shmangien e përhapjes së mëtejshme.

Nga informacionet e deritanishme bëhet e ditur se fruthi ka prekur fëmijë që nuk kishin përmbushur kalendarin e detyrueshëm të vaksinimit. Ndonëse ligji parashikon që asnjë fëmijë pa vaksinat e detyrueshme të mos pranohet në çerdhe, kopshte apo shkolla, rezulton se disa institucione jo publike e shkelin këtë detyrim, duke u kthyer në vatra të përhapjes së sëmundjeve infektive si fruthi, i cili mund të ketë pasoja të rënda.

Vatra e shpërthimit është izoluar, ndërsa aktualisht raportohen 15 raste të konfirmuara.

Në të njëjtën kohë, autoritetet shëndetësore pranojnë se mbulimi me vaksinën MMR vaccine, e cila aplikohet në moshën 1 vjeç, ka pësuar rënie për shkak të skepticizmit të disa prindërve dhe grupeve kundër vaksinimit. Aktualisht, mbulesa vaksinale për dozën e parë është rreth 83%, ndërkohë që Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon një nivel prej 95% për të parandaluar shpërthimet.

Raste sporadike me fruth janë raportuar edhe në disa vende të Europës, duke e mbajtur sëmundjen si një rrezik të vazhdueshëm për shëndetin publik.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments