
Mjeku Doris Sholla raportohet se është dhunuar nga një punonjës i Spitalit të Lushnjës, për shkak të dyshimeve të këtij të fundit, se i thërriste gruan orar pa orar në punë.
Gruaja e agresorit Altin Alla, punonte si infermiere në spital.
Ndërkohë, vetë 54 vjeçari ishte punonjës oksigjenist dhe për shkak të dyshimeve se mjeku Doris Sholla e thërriste qëllimisht gruan e tij në orare të ndryshme në punë, kanë pasur fillimisht debat verbal.
Duke qenë se situata kishte shkuar në pikën ku nuk mund të zgjidhej gjë me dialog, oksigjenisti Altin Alla është përfshirë në një përleshje fizike me mjekun 31 vjeçar Doris Sholla.
Rasti ka përfunduar në Polici dhe raportohet se efektivët e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë kanë arrestuar punonjësin Altin Alla, sepse dyshohet se për motive të dobëta, është konfliktuar me mjekun e spitalit, Doris Sholla.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lushnjës, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan shtetasin A. A., 54 vjeç, banues në Lushnjë, punonjës (oksigjenist) në spitalin e Lushnjës, pasi është konfliktuar në ambientet e spitalit, me shtetasin D. Sh., 31 vjeç, mjek në këtë spital, për motive të dobëta.
