Friday, February 13, 2026
HomeALBDash Sula shfaqet krah Ramës për herë të parë, Ja çfarë tha...

Dash Sula shfaqet krah Ramës për herë të parë, Ja çfarë tha Kryeministri: 

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj ditën e sotme zhvilluan një takim me Kryeinspektorin e Përgjithshëm dhe drejtuesit e inspektoriateve të vendit, për fazën e re të reformës së sistemit të inspektimeve.

Kryeministri theksoi se faza e re e reformës së inspektimeve synon të forcojë strukturën e inspektorateve dhe të sigurojë që inspektimi të jetë më efikas dhe më transparent.

Në krah të Ramës ishte kryeinspektori i ri i Përgjithshëm, ish- deputeti demokrat Dash Sula, i cili mori detyrën vetëm pak ditë më parë. Kjo është dalja e tij e parë në krah të kryeministrit.

Rama: Është një moment shumë i rëndësishëm i kësaj reforme. Pasi kaluam fazën e parë e cila pati nevojë për përgatitje për të studiuar modelet dhe për të krijuar një bindje se ishte domosdoshmëri të kapërcehej skema organizative e së shkuarës, tani do të kalojmë në fazën e zbatimit të thelluar të kësaj reforme. Një gjë është e sigurt, që deri tani ne nuk mund të themi se me inspektimin kemi bërë progresin e nevojshëm, inspektimi mbetet një problem në gjithë mekanizmin e funksionimit të shtetit tonë, një problem në organizim, në mendësi dhe mbetët një problem në hendekun midis shërbimit dhe pengimit të atyre që duhet të shërbehen. Megjithatë nga ana tjetër, unë gjithmonë kam besur dhe besoj që sistemi dhe përmirësimi i sistemit është përgjigjja. Mund të ndërrojmë të gjithë njerëzit, mund të sjellim dhe njerëz nga hëna, nëse sistemi nuk është i strukturuar si duhet dhe nëse drejtimi nuk është i duhuri biem në të njëjtat situata që për fat të keq i ndeshim më rrallë se më parë, por shumë shpesh për të qenë sot në prag të BE-së

Ndërkohë që i ndalur më tej te Sula, i cili tanimë me “bekimin” e vetë Ramës mban postin e Kryeinspektorit të Përgjithshëm, kryeministri e cilësoi këtë eksperiencë të re me të si një sfidë personale dhe theksoi se përparimi varet nga bashkëpunimi mbi objektivat e përbashkëta, pavarësisht prejardhjeve politike.

“Tani dua të them dy fjalë për faktin që Kryeinspektori vjen nga një pjesë e karrierës që ka qenë politike, por më parë ka qenë protagonist në sistemin e mëparshëm të drejtësisë. Ai ka pasur gjithçka nevojshme për të ndjekur këtë punë, pasi formimi juridik në këtë rast është i rëndësishëm, por ka edhe sfidën që të gjitha ato që i ka thënë Blerinës në Parlament, bashkë me Blerinën t’i adresojë.

Kur vjen puna te politika, ndarja është e natyrshme sepse jetojmë në një sistem demokratik. Por kur vjen puna te objektivat e përbashkëta, për sa kohë na jepet mundësia, le të përpiqemi së bashku.

Kjo është edhe një sfidë personale, pasi edhe mua nuk më ka kursyer zotëria kur kam qenë në Parlament. Tani ta shohim si i bën gjërat, të cilat na thoshte ne në Parlament që nuk i bëjmë si duhet. Por realisht, të kalosh nga teoria te praktika është njësoj si të kalosh nga poezia te romani”, tha Rama mesditën e kësaj të premte, duke e sfiduar kështu publikisht Sulën, i cili jo më larg se disa muaj më parë bërtiste me të madhe në sallë problemet e qytetarëve.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments