Qeveria Rama ka reaguar pas kallëzimit që aktorja Anila Bisha ka depozituar në Gjykatën Administrative të Tiranës, ku kërkon pezullimin e ministres së Shtetit për Inteligjencën Artificiale, Diella.
Ka qenë Drejtoresha e Agjencisë për Median dhe Informimin, Manjola Hasa, e cila ka bërë të ditur qëndrimin e palës tjetër në këtë proces. Hasa është shprehur se qeveria e sheh këtë si një të drejtë ligjore të ushtruar nga Bisha, por e konsiderojnë pretendimin e ngritur nga ajo si të pabazë.
Ajo theksoi se Shqipëria është një vend i lirë dhe demokratik, ku qytetarët kanë të drejtë të ndjekin rrugët ligjore kundër qeverisë, ndërsa vlerësimi përfundimtar i takon gjykatës.
“Shqipëria është një vend i lirë dhe demokratik, ku qytetarët kanë të drejtë të mendojnë dhe të veprojnë përmes mekanizmave ligjorë kundër qeverisë. Në këndvështrimin tonë pretendimi s’ka asnjë bazë, por i mbetet gjykatës ta vendosë kush ka të drejtë”, u shpreh Hasa.
Çështja nisi pasi aktorja e njohur Anila Bisha paditi Këshillin e Ministrave dhe Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, duke kërkuar pezullimin e menjëhershëm të ministres Diella. Sipas padisë, Bisha përfaqëson zyrtarisht zërin dhe imazhin e Diellës, në bazë të një kontrate bashkëpunimi 1-vjeçare të nënshkruar një vit më parë.
Aktorja i ka kërkuar Gjykatës Administrative që deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes, të vendosë masën e sigurimit të padisë, duke pezulluar përdorimin e avatarit të ministres Diella. Në kërkesë theksohet se si pasojë e veprimeve të palës së tretë, asaj po i shkaktohet një dëm i madh, i menjëhershëm dhe i pakthyeshëm.
