Gjatë 24-orëshit parashikohen reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit, të pranishme që nga orët e para të ditës deri në mesditë. Në zonën veriperëndimore, reshjet do të shfaqen herë pas here në formën e shtrëngatave.
Nga orët e mesditës dhe kryesisht në mbrëmje, përgjatë Ultësirës Perëndimore dhe në jug të vendit priten reshje shiu me intensitet deri mesatar, në formën e shtrëngatave afatshkurtra dhe të izoluara. Pjesa tjetër e territorit do të vijojë me reshje të dobëta shiu.
Në zonën e Alpeve, si edhe në relievet e larta malore në verilindje dhe juglindje, parashikohen reshje dëbore me intensitet të ulët.
Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi juglindje–jugperëndim me shpejtësi mesatare rreth 7 m/sek, ndërsa herë pas here, përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore, pritet të forcohet duke arritur shpejtësi deri në 17 m/sek.
Deti në Adriatik dhe Jon do të paraqitet me valëzim të forcës 3–4 ballë.
