Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar “idiot ndërkombëtar” prokurorin e Hagës, Matt Halling, i cili në fjalën e tij në seancën gjyqësore ndaj liderëve të UÇK-së, tha se ndërkombëtarët nuk e kishin kuptuar se Hashim Thaçi kishte maskuar realitetin, lidhur me luftën në Kosovë.
Çfarë IDIOTI NDËRKOMBËTAR”, ka shkuar Rama krahas një video të Matt Halling nga seanca gjyqësore në Prokurorinë Speciale
Halling deklaron se James Rubin, Wesley Clark dhe ndërkombëtarët e tjerë nuk e kuptojnë që HashimThaçi ishte i aftë të maskonte atë që po ndodhtë në realitet dhe kjo, sipas tij, ndikoi në botëkuptimin e tyre.
“Ajo që nuk kuptojnë James Rubin, Wesler Clark dhe ndërkombëtarë të tjerë, është që Thaçi ishte i aftë të maskonte atë që po ndodhte në realitet, dhe kjo ndikoi në botëkuptimin e tyre për të kuptuar vërtet sesi funksiononte UÇK. Veçanërisht Rubin dhe Clark treguan që nuk kishin interes për të kuptuar se çfarë po ndodhte në realitet, dhe besonin se puna e tyre ishte në anën e duhur të historisë. Nuk u përballen me atë që po dëgjon tashmë ky trup gjykues dhe për të cilat do të marrë vendimet përkatëse. Vendimet e tyre në fakt nuk ishin as me standardet ligjore ndërkombëtare, sa i takon kontrollit efektiv. Kryekomandanti i identifikuar i UÇK, mund të mos ketë qenë në gjendje të ushtronte komandon sikurse ushtritë e SHBA dhe NATO-s, por as nuk kishte nevojë ta bënte këtë gjë. Paragrafi 613 i dosjes sonë, flet për shumëllojshërinë e hierarkive, të cilat janë të mjaftueshme për të konstatuar përgjegjësinë eprore sipas të drejtës kombëtare humanitare”, ,thuhej në deklaratën e prokurorit të Hagës.
Për rolin e tyre si ish-eprorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në kohën e luftës në Kosovë, Prokuroria e Hagës ka kërkuar ditën e djeshme për Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, nga 45 vjet burgim për secilin.
