Tuesday, February 10, 2026
HomeALBPërplasje drejtësi–qeveri? Rama refuzon dorëheqjen e Ballukut

Përplasje drejtësi–qeveri? Rama refuzon dorëheqjen e Ballukut

Analisti Baton Haxhiu ka zbuluar se zëvendëskryeministrja Belinda Balluku i ka ofruar dy herë dorëheqjen kryeministrit Edi Rama, por kjo e fundit nuk është pranuar nga kreu i qeverisë.

Sipas Haxhiut, hera e parë ka qenë në momentin kur prokurori Dritan Prençi e përfshiu Ballukun si të pandehur në çështjen që kishte në hetim. Ndërsa hera e dytë, sipas tij, ka ndodhur mëngjesin e sotëm. Megjithatë, Rama ka refuzuar sërish dorëheqjen, duke argumentuar se nuk pranon që pezullimi të përdoret si mjet nga drejtësia për të ndryshuar përbërjen e qeverisë.

“Belinda Balluku ka ofruar dorëheqjen edhe herën e parë, por edhe sot në mëngjes. Zoti Rama, përmes statusit të tij, ka shpjeguar arsyen pse nuk e pranon këtë dorëheqje. SPAK dhe GJKKO gëzojnë aktualisht një autoritet moral shumë të madh dhe mbështetje të fortë qytetare, çka në disa raste i ka shtyrë të ndërmarrin vendime apo akuza që nuk mbështeten maksimalisht në prova të plota”, u shpreh Haxhiu.

Ai shtoi se pikërisht për shkak të këtij autoriteti moral, institucionet e drejtësisë duhet të kërkojnë standardin më të lartë të provave, veçanërisht kur bëhet fjalë për ministra apo anëtarë të qeverisë. Sipas tij, kërkesa për pezullimin e një ministri ka krijuar një përplasje mes pushtetit ekzekutiv dhe atij të drejtësisë.

“Në këtë kontekst, Rama nuk e pranon dorëheqjen e Ballukut, sepse nuk pranon që pezullimi të shërbejë si instrument për të ndryshuar ekzekutivin. Kjo përbën një ndërhyrje mes dy pushteteve”, përfundoi Haxhiu.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments