Policia e Tiranës ka reaguar zyrtarisht lidhur me konfliktin e ndodhur një ditë më parë në lagjen Laprakë. Në sherrin e zhvilluar pranë pallateve malajziane është përfshirë një punonjës policie, i cili dyshohet se ka kanosur një qytetar me armën e shërbimit.
Sipas policisë, bëhet fjalë për Nënkomisarin Fabiol Hasaj, i cili gjatë një konflikti për motive të dobëta me shtetasin D. H., dyshohet se ka përdorur armën e shërbimit në mënyrë kërcënuese. Në momentin e ngjarjes kanë qenë të pranishëm edhe qytetarë të tjerë.
Menjëherë pas incidentit, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka pezulluar nga detyra efektivin dhe ka nisur ndaj tij hetim disiplinor. Po ashtu, në kuadër të hetimeve, i është bllokuar arma e shërbimit, pistoletë tip “TT”.
Në lidhje me këtë rast, veprime hetimore dhe procedurale ka kryer edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila ka referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprën penale “Kanosja”.
Policia e Shtetit thekson se po bashkëpunon me organet e drejtësisë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe garantimin e respektimit të ligjit.
