Qeveria miratoi sot projektligjin për Amnistinë Penale. Lajmi u konfirmua nga ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, i cili bëri me dije se nga kjo nismë përfitojnë qindra persona të dënuar dhe mijëra të tjerë në procese penale.
Sipas ministrit, 447 persona do të lirohen menjëherë nga institucionet e vuajtjes së dënimit, ndërsa 853 të dënuar do të përfitojnë ulje të masës së dënimit. Në listën e përfituesve përfshihen gra, të mitur si edhe shtetas të huaj. Ndërkohë, numri i përgjithshëm i personave që përfitojnë nga pushimi i ndjekjes penale është dukshëm më i lartë.
“Në mbledhjen e sotme të Qeverisë miratuam Amnistinë Penale, një nismë që e prezantuam rreth një muaj më parë dhe që nga sot depozitohet në Kuvend. Bazuar në të dhënat e përditësuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Shërbimi i Provës dhe Prokuroria e Përgjithshme, rezulton se 447 persona përfitojnë lirim të menjëhershëm dhe 853 të tjerë ulje dënimi. Gjithashtu, nga Shërbimi i Provës amnistohen 5077 persona të dënuar me masa alternative. Për më tepër, duke nisur nga viti 2024, pushohet ndjekja penale për rreth 14 mijë procedime që lidhen me vepra penale të lehta”, u shpreh ministri Lamallari.
Ai theksoi se amnistia është një akt me karakter human, që synon rehabilitimin dhe ri-integrimin shoqëror të të dënuarve, si dhe një masë konkrete për të ulur mbipopullimin në burgje. Sipas tij, nisma nuk përbën tolerancë ndaj krimit, por një qasje të balancuar që synon përdorimin më efikas të drejtësisë penale, në përputhje me standardet evropiane dhe rekomandimet e Këshillit të Evropës, veçanërisht sa i përket kufizimit të përdorimit të panevojshëm të paraburgimit.
