Një vit pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur sot kalimin për gjykim të çështjes penale ndaj tij dhe 29 personave të tjerë.
Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt, nën akuzën se, në bashkëpunim me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, kishte ngritur një skemë të sofistikuar korrupsioni dhe pastrimi parash. Sipas hetimeve, kjo skemë synonte përfitimin e paligjshëm të fondeve të Bashkisë së Tiranës dhe marrjen e ryshfeteve nga biznese kontraktore, përmes një rrjeti kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.
SPAK pretendon se çifti ka përfituar rreth 1 milion euro nga aktiviteti korruptiv, shuma që dyshohet se është përdorur kryesisht për blerje luksoze online nga Ajola Xoxa.
Ndërkohë, të gjitha kërkesat e Erion Veliajt për ndryshimin e masës së sigurisë dhe lirimin nga paraburgimi janë rrëzuar nga gjykatat e të gjitha shkallëve.
