Sali Berisha e ka cilësuar si “tradhti të lartë” emërimin e Dashnor Sulës si Kryeinspektor të Përgjithshëm. Deklarata u bë sot, më 7 shkurt, gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët, ku Berisha iu përgjigj pyetjeve të tyre.
Sipas tij, tradhtia ndaj idealeve të demokracisë është po aq e rëndë sa tradhtia ndaj atdheut. Berisha theksoi se veprimi i Sulës përbën një shkelje të rëndë morale dhe politike, duke e akuzuar se ka braktisur mbështetësit e tij në një moment kritik për opozitën.
“Nëse tradhtia ndaj atdheut quhet tradhti e lartë, atëherë edhe tradhtia ndaj idealeve më të shenjta të demokracisë duhet të quhet po njësoj. Të tradhtosh burra dhe gra fisnikë që për 12 vite nuk ta kanë kthyer shpinën dhe të dalësh në kohën më të zezë të Edi Ramës për t’u rreshtuar me të, është akti më i lartë i tradhtisë”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se Partia Demokratike duhet të distancohet nga persona të tillë, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama për korruptimin e figurave të opozitës. Duke iu referuar Sulës si një “mollë e kalbur”, Berisha nuk kurseu komentet as për deputetin Ervin Salianji, i cili ka nisur takime të tijat me qytetarët.
“Ne nuk humbasim nga këta njerëz. Përkundrazi, ndahemi prej tyre. Nuk duam në gjirin tonë shërbëtorë të Edi Ramës. Ata tradhtojnë jo mua, por qytetarët që kanë besuar tek ata. Të bëhesh patericë e qeverisë në ditën më të zezë është histori turpi”, përfundoi Berisha.
