Qeveria ka miratuar këtë të mërkurë Amnistinë Penale. Lajmi u bë i ditur nga Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, përmes një deklarate për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
Sipas ministrit, nga kjo amnisti përfitojnë drejtpërdrejt qindra persona të dënuar. Konkretisht, 447 të burgosur do të lirohen menjëherë, ndërsa 853 të tjerë do të përfitojnë ulje të dënimit. Po ashtu, 5077 persona të dënuar me masa alternative do të amnistohen nga Shërbimi i Provës. Mes përfituesve ka gra, të mitur dhe shtetas të huaj.
Ministri Lamallari theksoi se numri real i përfituesve është edhe më i lartë, pasi duke nisur nga viti 2024 do të pushohet ndjekja penale për rreth 14 mijë procedime që lidhen me vepra penale të lehta.
“Amnistia Penale është një akt human dhe një mundësi e dytë për rehabilitim dhe riintegrim në shoqëri. Ajo ndihmon gjithashtu në uljen e mbipopullimit të burgjeve dhe në përqendrimin e drejtësisë tek rastet me rrezikshmëri reale shoqërore. Nuk bëhet fjalë për tolerancë ndaj krimit, por për një qasje të matur dhe efikase të drejtësisë penale”, u shpreh ministri.
Ai shtoi se nisma është në përputhje me standardet evropiane dhe rekomandimet e Këshillit të Evropës, veçanërisht në lidhje me uljen e përdorimit të panevojshëm të paraburgimit.
Projektligji i amnistisë do të depozitohet në Kuvend, ku pritet të shqyrtohet në komisionet parlamentare dhe më pas të kalojë për miratim në seancë plenare. Ministri Lamallari shprehu pritshmërinë që Parlamenti ta trajtojë pa vonesa, në mënyrë që efektet e amnistisë të ndihen sa më shpejt nga mijëra familje shqiptare.
Nga kjo amnisti përjashtohen subjektet që hetohen ose gjykohen nga Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
