Strasburgu që e nxori zbuluar Berishën: kur Athina i mbylli derën “aleatit” të saj
Sali Berisha nuk do ta kishte pasur asnjë problem të ishte i pranishëm normalisht në institucionet europiane – qoftë si deputet, qoftë përmes përfaqësive zyrtare shqiptare. Në çdo vend normal, diplomacia i shërben jo vetëm qeverisë, por edhe opozitës, deputetëve, gazetarëve dhe shoqërisë civile.
Por Shqipëria nuk është një vend normal.
Ambasadat shqiptare funksionojnë më shumë si zgjatim i “oborrit” të mazhorancës sesa si shërbim publik. Pikërisht për këtë arsye, Sali Berisha nuk i ka pranuar kurrë shërbimet diplomatike të qeverisë Rama. Ironikisht, për tre vite me radhë, i vetmi “kanal diplomatik” që ka përdorur ka qenë… Greqia.
Ambasada greke në Tiranë ishte e vetmja ku Berisha u shfaq në aktivitete ceremoniale të BE-së. Me aferën Beleri, kjo marrëdhënie mori përmasë strategjike: një aleancë e hapur kundër Edi Ramës dhe shtetit shqiptar. Berisha i ofroi Athinës një levë të fortë për të tronditur politikën në Tiranë.
Por historia nuk shkoi siç e kishte parashikuar doktori.
Që nga 2023, raportet me Athinën janë ftohur ndjeshëm. Madje vetë eurodeputeti grek kërkoi dorëheqjen e Berishës pas zgjedhjeve të 11 majit. Aleanca u kris. Dhe Strasburgu u kthye në testin final.
Berisha tentoi një “Strasbourg escape”, përballë “Jerusalem escape” të Ramës. Por grekët – që sot drejtojnë Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës – e lanë të përballej me një skenë të rëndë dhe poshtëruese.
Një hakmarrje e vonuar? Ndoshta që nga vitet ’95–’97. Apo thjesht sinjal se Athina po kërkon një opozitë tjetër, një pol të ri, pa Berishën në krye.
Mesazhi ishte i qartë: aleatët nuk janë të përjetshëm. Dhe Strasburgu e tregoi këtë pa diplomaci.
